Lojërat

Ulen kërkesat për Nintendo 3DS

Jul 14 2012
0 Shpërndarje
Ulen kërkesat për Nintendo 3DS

Nintendo ka konfirmuar se ka shitur gjithsejt pesë millionë pajisje portabël 3DS në ShBA prej se është lansuar në treg para 15 muajsh.

Bazuar në shifrat e shitjeve të mëparshme të Nintendo, kjo tregon se kërkesat për këtë pajisje janë zvogëluar prej fillimit të këtij viti.

Nintendo në janar tha se ka shitur katër milionë pajisje 3DS në ShBA gjatë vitit të kaluar, që do të thotë se sivjet ka shitur një milion copë deri më tani. Pajisja e cila nuk u lansua deri në prill të vitit 2011, pati shitje prej 500,000 copë për çdo muaj deri në fund të atij viti. Një dallim është se kjo kompani ka shitur vetëm një milion copë gjatë këtij viti që i bie mesatarisht 167,000 copë të shitura për muaj.

Në qershor, Nintendo zbuloi se ka shitur 155,000 sisteme Nintendo 3DS, 150,000 sisteme DS dhe 95,000 Wii konzola.

Ky raport u publikua bashkërisht mes NPD Group dhe Nintendo, dhe tregon lajme të këqija për kompaninë japoneze të lojërave, e cila është duke luftuar për të mbetur në treg sepse bota e lojtarëve po kthehen kah lojërat sociale dhe celulare.

Por Nintendo nuk është e panjohur në biznesin e lojërave, kështuqë vazhdon me lansimet e harduerëve të ri për të nxitur shitjet.

Gjatë muajit të kaluar, kjo kompani njoftoi për modelin Nintendo 3DS XL, i cili do të jetë në dispozicion me 19 gusht për 199,99 dollarë amerikan. Veçoria e këtij modeli është se ka ekran 90% më të madh se 3DS i fundit. Të dyja këto pajisje i mundësojnë përdoruesit të shikojë imazhe 3D pa patur nevojë për syze. Nintendo poashtu do të lansojë lojën e re New Super Mario Bros me 19 gusht.

Më vonë gjatë këtij viti Nintendo do të lansojë Wii U, konzolë kjo e gjeneratës së ardhshme.

Lajmi i mirë nga publikimi i këtij raporti është se tashmë ka 5 milionë pronarë të pajisjes 3DS të cilët sigurisht se do të vazhdojnë të blejnë lojëra të reja.

Microsoft mbetet kryesues në shitjen e konzolave, me 257,000 Xbox 360 konzola të shitura për muaj. Sony nuk ka paraqitur shifrat e shitjes , por thuhet se ka më shumë shitje se Wii dhe më pak se Xbox. (Gameworld Albanian)

Tags >

nintendo
Lajmet e fundit>