Lajme lojërash

Konsolat përballë njëra-tjetrës: PS4 vs. Xbox One

Dec 6 2013
0 Shpërndarje
Konsolat përballë njëra-tjetrës: PS4 vs. Xbox One

Sapo ka filluar edhe njëherë nga fillimi “lufta” mes konsolave të lojërave: Sony PlayStation 4 dhe Microsoft Xbox. Ato janë hedhur tashmë në treg me të njëjtin qëllim: të bëjnë pas vetes sa më shumë lojtarë të rinj dhe entuziastë të multimedias. Tashmë që adhuruesit e secilës i kanë bërë blerjet e para dhe kanë dhënë përshtypjet e tyre mbi to, ne të tjerëve na mbetet të shohim me kujdes dhe gjakftohtësi para se të bëjmë zgjedhjen.

Kostoja

Në pamje të parë, çmimi bën qartësisht dallim: Xbox One kushton 499.99 $ ndërsa PS4 kushton 399.99 $. Një disk i ri kushton 59.99 $ për të dyja konsolat, ndërsa lojrat e shkarkuara kanë çmime deri diku të përafërta.

Xbox One e justifikon deri diku çmimin më të lartë për shkak se përfshin lëvizjen e Kinect, sensorin për zërin dhe pamjen, e cila luan rol të rëndësishëm kur vjen puna tek veçoritë multimediale të sistemit – do ta shohim më me detaje më vonë. Por, edhe PS4 ka një sensor periferik – bëhet fjalë për PlayStation Camera, më pak e avancuar, por që kushton 59.99 $ si pajisje e veçantë.

Të dy sistemet kërkojnë një abonim online për të shijuar atë që do ta quanim “qejfin e vërtetë” të lojërave me shumë lojtarë. Për Xbox One, abonimi në Xbox Live Gold kushton 59.99 $ në vit, ndërsa për abonimin PlayStation Plus në PS4, çmimi është 49.99 $ në vit.

Sony ofron edhe akses pa pagesë në aplikacione që nuk janë lojëra, si Netflix, nga ku mund të shihni filma apo seriale pa pagesë shtesë. Microsoft ju kërkon të paguani një abonim Gold për të aksesuar Netflix-in në Xbox One. Po ashtu, ju duhet edhe një abonim Gold për telefonatat video në Skype apo shfletimin e internetit përmes Internet Explorer nga televizori juaj.

Oscar Gonzalez, kryeredaktor i OriginalGamer.com, një faqe që shkruan mbi video lojrat dhe lajmet e fundit mbi to, shprehet se “Oferta më e mirë në këtë rast është PS4. Ofron më tepër përsa i përket lojrave dhe PlayStation Plus si dhe kushton 100 $ më pak.”

Një plus për: PS4

Hardueri

Si Xbox One, ashtu edhe PS4, kanë 500 GB hard drive dhe vijnë së bashku me një kabëll HDMI, një kontrollues loje si dhe kufjet. Të dyja luajnë Blu-ray, diçka që shihet për herë të parë tek konsola e Microsoft-it.

Gonzalez dhe Stephen Totilo, kryeredaktor i faqes Kotaku.com, që merret po ashtu me dhënien e informacioneve mbi videolojrat, u shprehën se kanë vënë re që disa zhvillues sugjerojnë se PS4 mund të jetë pajisja më e fuqishme, por ky fakt nuk dallohet lehtësisht.

Barazim

Zbavitja jashtë lojërave

Nuk diskutohet që konsolat janë këtu për lojërat. Por, ato mund të ofrojnë edhe shumë më tepër sesa kaq. Xbox One synon të dominojë gjithë sistemin tuaj televiziv të zbavitjes, duke ju ofruar plot programe përveç lojrave që luani në të.

Xbox One ju mundëson të kaloni nga lojërat tek televizori përmes komandave zanore si dhe ju lejon të hapni ‘detyra’ të ndryshme në ekran, njësoj siç punoni në kompjuter me shumë dritare. Xbox One ka po ashtu edhe Skype (në HD) apo edhe biseda në grup me deri në tre njerëz. Po ashtu, teknologjia e Kinect sheh në errësirë dhe ju ndjek edhe kur lëvizni në dhomë.

Siç u përmend edhe më lart, PS4 ofron gjithashtu gjëra përtej lojrave, si Netflix apo sporte live nga NBA. “Për ata që dëshirojnë një konsolë që të kontrollojë gjithë zbavitjen në TV, Xbox One është i duhuri,” u shpreh Gonzales. “Këtu e kalon PS4.”

Një plus për: Xbox One

Përfundimi

Mund ta quani “lufta ku të gjithë fitojnë.” Nëse jeni më të pasionuar pas videolojërave dhe dëshironi të kurseni ca para, atëhere merrni në konsideratë PS4. Nëse ju intereson edhe zbavitja përtej lojërave, atëhere Xbox One është alternativa më e mirë për ju. Por, mos u nxitoni për t’i blerë. Nëse keni një të tillë, mund të prisni edhe pak para se të bëni një shpenzim për njërën prej tyre. (GameWorld Albanian)

Lajmet e fundit>