Lojërat

Elder Scrolls V do të përdor një motor të ri

Dec 13 2010
0 Shpërndarje
Elder Scrolls V do të përdor një motor të ri

 

Bethsada, kompania që prodhon lojërat Elder Scrolls, prezantoi lojën më të re të serisë Elder Scrolls të quajtur Skyrim gjatë spektaklit Video Game Award, që u mbajt ditën e shtunë.

U tha se Skyrim do të jetë një vazhdim i drejtpërdrejt  i ngjarjeve të Elder Scrolls IV: Oblivion, dhe sapo u shpall data e nxjerrjes në treg të kësaj loje, brenda shumë pak minutave fjala “Scrolls” hyri në listën e Trending Topic të Twitter, duke treguar interesimin e jashtëzakonshëm të fansave.

Një lajm tjetër u dha këtë fundjavë për Skyrim. Manaxheri i komunitetit për Bethsada, Nick Breckon, tha se loja do të ketë një motor “krejt të ri”. Lajmërimin ai e postoi në llogarinë e tij në Twitter. Ky është një lajm mjaft i rëndësishëm, pasi që prej Elder Scrolls III: Morrowind Bethsada ka përdorur motorin Gamebryo. Videolojra të tjera të ndërtuara mbi Gamebryo janë edhe Elder Scrolls IV: Oblivion, Fallout 3 si dhe video loja më e re nga kjo kompani,  Fallout: New Vegas. Edhe pse këto tituj janë mbresëlënës dhe mjaft të mirëpritur nga publiku dhe kritikat, motori i lojës ka probleme të ndjeshme.

Fallout New Vegas është akuzuar se ka shumë gabime të cilat vihen re gjatë rrjedhës së lojës. Një video në YouTube tregon për njërin prej tyre, në të cilin koka e personazhit të parë në lojë rrotullohet si një mulli ere. Kompania u shpreh se rregullimet janë duke u bërë mbi këtë lojë. Drejtori i marrëdhënieve me publikun u shpreh: “Ne jemi duke punuar për lëshimin e arnave dhe përmirësimve sa më shpejt të jetë e mundur për Fallout: New Vegas për të gjitha platformat”

Pra siç e shohim një motor i ri loje është bërë një domosdoshmëri për gjigantin e lojërave të zhanrit RPG. Bethsada nuk e ka thënë akoma emrin e këtij motori, madje as nuk ka konfirmuar nëse ai është krijuar nga studio në Maryland apo nga dikush tjetër.

Tani për tani fansat e Elder Scrolls duhet të kënaqen me faktin që lutjet e tyre u dëgjuan nga Bethsada, dhe të shpresojnë që ky motor i ri do të sjell ndryshimet e nevojshme për serinë Elder Scrolls. /gameworld.al

Lajmet e fundit>