Lojërat

Duket se më në fund po vjen Duke Nukem Forever

Oct 11 2010
0 Shpërndarje
Duket se më në fund po vjen Duke Nukem Forever
Gearbox Software, kompania e re prapa lojës së shumëpërfolur kohëve të fundit, Duke Nukem Forever, ka paralajmëruar se një demo e titullit të “vonuar” do të jetë në duar të secilit në pranverë të vitit të ardhshëm.

Më parë është thënë se kjo përmbajtje e lartpërmendur do të ofrohet ekskluzivisht për të gjithë gejmerët që blejnë “Borderlands Game of the Year Edition” (që do të paraqitet në treg të premten), por kështu nuk ndodhi dhe vet drejtori i marketingut të kompanisë Gearbox, Steve Gibson tha se nuk do të veprohet kështu, por vitin e ardhshëm të gjithë do të kenë rastin ta provojnë titullin e ri Duke Nukem.

Duke Nukem Forever për herë të parë ishte paralajmëruar nga 3D Realms, si vazhdim i titullit Duke Nukem 3D në vitin 1997. Por më pas loja e shumëpritur u shty dhe madje u shty aq shumë sa që arriti të kalojë 12 vite periudhë zhvillimi, me ç’rast u ndërruan shumë inxhinierë, publicistë, skenaristë e asete.

Pavarësisht se loja ka ciklin më të gjatë zhvillues në histori të lojërave dhe ka fituar edhe çmime prestigjioze, shpresat e gejemrëve ishin në kulm të pritjeve deri në momentin kur në maj të vitit 2009 u paralajmërua se nuk do të ketë asgjë prej këtij titulli.

Por edhe pse zyrtarisht loja vdiq, dhe zhvilluesi largoi nga puna shumicën e stafit, kompania prapa Brothers in Arms dhe Borderlands, Gearbox Software doli në skenë dhe bleu të drejtat për licencë dhe tani është veçse duke finalizuar lojën për një debutim të saj në vitin 2011.

Në një konferencë për media të mbajtur javën e kaluar në Londër, ku u paralajmërua edhe depoja, presidenti i Gearbox Randy Pitchford pati edhe disa fjalë për gejmerët entuziastë që kanë pritur me vite të tëra për këtë lojë, dhe tha se do të bëjnë çmos që të kompensohen ata që kanë pritur deri më sot.

Duke mos supozuar vonesa të mëtutjeshme, Duke Nukem Forever më në fund do të jetë në treg vitin e ardhshëm për PC, Playstation 3 dhe Xbox 360, pas gati 13 viteve paralajmërim për paraqitje në treg. E pritëm StarCraft 2 për 12 vjet dhe u befasuam për të mirë, por a do të ngjallë të njëjtin nivel entuziasmi dhe rekordesh si StarCraft edhe Duke Nukem, mbetet të shihet… /pcworld.al

Lajmet e fundit>