Lojërat

Dante’s Inferno

Aug 30 2012
0 Shpërndarje
Dante’s Inferno

Dante’s Inferno është një lojë aksion-aventurë e krijuar nga Visceral Games dhe e publikuar nga Electronic Arts për Xbox 360 dhe PlayStation 3.

Loja u lançua gjithashtu për PSP dhe u krijua nga Artificial Mind and Movement. Loja është e bazuar te Ferri, pjesa e parë e veprës së Dante Aligerit, Komedia Hyjnore, dhe ka gjithashtu shumë ngjashmëri me poemën. Loja përfshin shumë të dënuar në rrathë të ndryshëm të ferrit që janë të marrë nga vepra. Ajo ndjek historinë e Dantes në udhëtimin e tij në 9 rrathët e ferrit për të rimarrë shpirtin e të dashurës së tij Beatriçes, nga duart e Luçiferit.

Loja është e tipit aksion aventurë. Lojtari kontrollon Danten, protagonistin kryesor, dhe hyn në luftime të tipit të lirë, si dhe merr pjesë në enigma të ndryshme. Arma kryesore e Dantes është korrësi i vdekjes i cili mund të përdoret në kombinime të ndryshme sulmesh.

Dante përdor gjithashtu një seri stilesh magjike që konsumojnë fuqi magjike ose mana. Gjatë lojës, mund të hapen stile të reja në shkëmbim të shpirtrave që grumbullohen nga vrasjet e monstrave. Loja përfshin shumë akrobaci, si hedhje me litarë apo ngjitje nëpër mure, ku secila ka rrezikshmërinë e vet nga zjarret ose shpatat e varura.

Një version Demo u lançua për Playstation 3 në 10 dhjetor 2009 dhe për Xbox në 24 dhjetor 2009. Dante’s Inferno u lançua fillimisht në Europë në 5 shkurt 2010.

Pas versionit origjinal dolën edhe disa seri të limituara që përfshinin ndryshime dhe shtesa të vogla gjatë lojës. Aty përfshihej gjithashtu muzika e ndryshuar, si dhe fragmente nga poema e vërtetë.

Loja mori vlerësime shumë të mira për shkak të stilit të veçantë që kishte. Kritikë të shumtë bënë krahasime të ndryshme me serinë e Sony-t, God of War.

Një nga pjesët më të vlerësuara ishte ferri, me mënyrën e veçantë të krijimit. Kritikat më të mëdha dhe negative të lojës i përkisnin ngjashmërisë që kishte me God of War. Eurogamer i dha notën 6/10, GameSpot 6.5/10 ndërsa IGN i dha notën 7.5/10. (GameWorld Albanian)

Lajmet e fundit>