Lajmet

Albanian ICT Award 2012

Apr 6 2013
0 Shpërndarje
Albanian ICT Award 2012

Profesionistët e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë ftohen të marrin pjesë në Albanian ICT Awards 2012.  Kjo  nismë shpërblen dhe motivon individët të cilët japin kontribut në fushën e teknologjisë në të gjitha trevat shqiptare.

E për të nxitur pjesëmarrjen në këtë organizim, në Prishtinë u zhvillua këtë të shtunë, workshop-i dytë i Albanian ICT Awards.  

Koordinatori i Albanian ICT Awards teksa prezantoi konceptin e kësaj gare tha se qëllimi i konkursit është zbulimin i talenteve në fushën e teknologjisë dhe përkrahja e tyre në mënyra të ndryshme.

“Kanë të drejtë të gjithë të aplikojnë, cdo individ i cili ka realizuar një projekt apo një nismë të veten personale apo të kompanisë së tij, mund të konkurojë, mund të aplikojë në njërën nga kategoritë dhe të nominohet si personi i vitit më i suksesshëm”, thotë koordinatori i Albanian ICT Awards, Kushtrim Shala.

Përvec partnerëve ndërkombëtar, kjo ngjarje që prej fillimit gëzon mbështetjen e fondacionit “Dritan Hoxha”, në vazhdim të traditës së përkrahjes së risive teknologjike.

“Top Media është modeli i një kompanie e cila nëpërmjet teknologjisë ka bërë të mundur bashkimin kulturor dhe gjuhësor të të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen. Unë shpresoj dhe besoj që ky event do të bashkojë vlerat më të mira individuale të të gjithë shqiptarëve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, thotë Vjollca Dako, Drejtoreshë e Fondacionit Dritan Hoxha.

Njëri nga konkurentet nga Kosova është Denis Avdiu, shqiptari i cili zbuloi një difekt në Facebook. Ai shpjegon se si ishte vleresuar nga Facebook edhe për faktin se nuk e keqpërdori atë. Ndërsa një vizitë në Kaliforni nuk iu realizua për shkak të vështirësive në marrjen e vizës.

“Kam patur një bashkëbisedim me disa punonjës të Facebook që më kanë pyetur edhe për vendin tonë, për njerëzit nëse janë të gjithë kështu. Kjo është një përparësi për ne. Facebook më falenderoi publikisht dhe më ftoi në zyrat qendrore të Facebook në Kaliforni, por shkaqet që sic i dini, vizat, nuk kam arritur ende deri tek ajo”, u shpreh Denis Avdiu, pjesëmarrës në Albanian ICT Awards.

“Pjesëmarrësit dhe të gjitha zhvillimet e tjera në kuadër të eventit do të gjejnë vend në revistën Computer World Albania në numrin e dytë vijues. Ajo që është e domosdoshme dhe e nevojshme në këtë rast është përkrahja mediatike dhe një prezantim më i madh mediatik edhe në Kosovë që ndoshta nuk është mjaftueshëm në këtë rast. Falenderoj Top Channel për këtë”, tha Ernest Luma, redaktor i revistës Computer World.

ICT Awards  do  të ndajë pesë cmime për këtë vit. Konkursi mbetet i hapur deri me 13 prill ndërsa të gjitha kushtet e aplikimit gjenden online. Eventi do të zhvillohet në fund të muajit prill në Tiranë. (PCWorld Albanian)

Burimi: http://top-channel.tv/artikull.php?id=254753&ref=onews

 

Lajmet e fundit>