Lojërat

A duhet ta blini modelin e ri PlayStation Vita Slim

Feb 5 2014
0 Shpërndarje
A duhet ta blini modelin e ri PlayStation Vita Slim

Edhe pse Sony vjen me modelin e ri të PlayStation Vita që ka marrë nofkën “Slim” për shkak se është më i hollë dhe më i shtrenjtë, a duhet vërtet ta blini? Lançimi në Azi deri tani duket i suksesshëm dhe në fund të kësaj jave vjen në Europë, por gjithsesi, përdoruesit janë në dyshim nëse ia vlen. 80 $ është shuma që shtohet nga modeli i vjetër, duke e çuar çmimin në rreth 300 $ ,por parametrat mbeten shumë të përafërt me modelin e mëparshëm.

PlayStation Vita Slim, në përgjithësi, ka harduer të ndërtuar mirë dhe të pëlqyeshëm. Pajisja vjen me dy mini-levat për gishtat, ekran 5 inç me prekje, një tjetër hapësirë me prekje në pjesën mbrapa, bokse stereo dhe dy kamera, para dhe prapa. Më e mira është që në fushën e konsolave mobile, ka grafikat më të mira deri tani. Në madhësi “Slim” është dukshëm më i vogël se Vita, me vetëm 15mm trashësi dhe me peshë prej 219 gram.

Përmirësimet nuk janë vetëm estetike, por edhe në bateri, që në “Slim” zgjat më shumë. Kjo vjen sepse Sony ka vendosur të mos përdorë ekran OLED por LCD, gjë që kursen shumë bateri dhe e çon kohëzgjatjen deri në tetë orë. Ndërkohë që PlayStation Vita kishte edhe WiFi edhe 3G, Vita Slim ka vetëm WiFi. Memorie të brendshme ka 1 GB, ndërkohë që i pari nuk kishte fare.

Vetë dizenjimi i PlayStation Vita Slim është shumë më i rehatshëm si në dorë, ashtu edhe në xhep. Por pak a shumë, në parametra, është shumë i ngjashëm me PlayStation Vita të vitit 2012. Duke lënë mënjanë veçoritë që ka apo nuk ka njëra apo tjetra pajisje, në përfundim janë shumë të ngjashëm dhe rrjedhimisht, edhe performanca nuk do të ketë shumë ndryshim. Dhe kjo është dilema e përdoruesve dhe fansave, nëse ia vlen të marrësh 300 $ një PLayStation Vita Slim, ndërkohë që mund të kesh thuajse të njëjtën pajisje me një çmim prej 80 $ më pak.

Gjithsesi, në pamundësi për të pasur një përgjigje përfundimtare për këtë, presim të premten e ardhshme kur PlayStation Vita Slim mbërrin fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar e më pas në të gjithë Europën. (GameWorld Albanian)

Lajmet e fundit>